4 Febbraio 2017

Thesare dukagjinase 5

Ndërmjet vlerave artistike që ka krijuar populli i Dukagjinit
gjatë shekujve, gjejmë edhe shumë këngë e valle,
melodi e tregime, fjalë të urta, kashë e lashë, gjëegjëza,
lojëra popullore. Të gjitha këto njihen me emrin folklor.
Pra folklori është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë
artistike e këtij populli, që në lashtësitë e tij.
Libri ndahet në shtatë kapituj:

Në kapitullin e parë pasqyrohen disa të dhëna mbi
gjendjen moralo-politike, shoqërore e gjeografike.

Ne kapitullin e dytë pasqyrohen këngë popullore, të thurura
me shumë mjeshtëri e shije artistike.

Në kapitullin e tretë,pasqyrohen këngë dasmash, që këto lidhen ngushtë me
zhvillimin e dasmës, me personat kryesorë që këndohen
e me veprimet e tyre, me ritet dhe zakonet, të lidhura me
paragjykime e besëtytni. Këto këndohen në momente të
caktuara si: në hapjen e dasmës, për sjelljen e nuses në
shtëpi ose në banket sot, për pritjen kur hyn në shtëpinë
e dhëndrit, për daljen e çiftit për të vallëzuar kur janë në banket etj.

Në kapitullin e katërt kam pasqyruar disa këngë djepi,
siç janë ninullat. Ninullat, nënat ua këndojnë fëmijëve të
vegjël, zakonisht kur i vënë në gjumë. Në këto këngë, nëna
shpreh ëndrrat dhe dëshirat e veta për fëmijën. Nëna
dukagjinase uron fëmijën për shëndetin, për jetën, për
cilësitë morale, për vendin që do zënë në shoqëri, etj. Ajo
shpreh dëshirën që fëmija të rritet shpejt, të ketë jetë të
gjatë “me të mirat si i do zemra”, të jetë i pashëm dhe i
shëndetshëm: “T’u baftë shtati si bajrak e t’u mbushtë
ftyra me gjak”. Urimet e nënës shpesh kanë përmbajtje
shoqërore-politike. Nëna shpreh dëshirën që fëmija t’i
rritë nderin shtëpisë, fisit, familjes, Atdheut, duke i kënduar:
“U bafsh nderi i ksaj shtëpi, punofsh ti o për Shqipni,
Nina-nana po të përkundi – Ti m’u bafsh i parë katundi,
Nina-nana tan lezet, ti m’u bëfsh i parë në qytet, etj.

Ne kapitullin e pestë, pasqyrohen kashë e
lashë, të cilat janë përdorur, brez pas brezi, për edukimin
e njerëzve, të çdo moshe qofshin ata, por edhe për të
rritë zgjuarsinë, intelektin dhe gjykimin (mençurinë) në
përgjithësi.

Në kapitullin e gjashtë, lexuesi do të gjejë disa këngë
që pasqyrojnë jetën fëminore, të cilat i këndojnë fëmijët
për argëtimin, dëfrimin dhe edukimin e tyre.

Ndërsa në kapitullin e shtatë trajtohen probleme të
ndryshme.
Këngët popullore, këngët e dasmave, këngët e djepit,
kashë e lashë, lojrat e fëmijëve kanë qenë pjesë e jetës,
në çdo familje dukagjinase. Këto janë krijuar, pasuruar e
kënduar me lahutë, çifteli etj., në shekuj në këtë trevë,
që është kaq e pasur me rite, zakone e tradita, si gurrë e
burim i pashtershëm..